08/11/2019
Projekte

Projekti ADRIPASS

ADRIPASS – është një nga projektet e financuar nga Fondi Europian i Zhvillimit Rajonal (ERDF) dhe nga Instrumenti i Ndihmës së Para- Aderimit (IPA II). Ky projekt ka filluar në Janar të vitit 2018 dhe përfundon në Dhjetor të vitit 2019. Autoriteti Portual Durrës është partner i projektit ADRIPASS së bashku me 10 partner të tjerë, ndër të cilët: Porti i Koperit, Porti i Barit, Porti i Ploces, SEETO (Observatori i Transportit të Evropës Juglindore), CEI (Central European Initiative – Executive Secretariat) etj. CEI, në cilësinë e koordinatorit të projektit, do të sigurojë një zbatim të qetë dhe efikas të të gjitha aktiviteteve të projektit dhe një raportim të suksesshëm në Komisionin Evropian. Partner mbështetës i Autoritetit Portual në projektin ADRIPASS është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Qytetet porte Europiane dhe partnerë të tjerë të projektit, mes të cileve Porti i Durrësit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë – synojnë të zhvillojnë një strategji të përbashkët për rritjen e efikasitetit të transportit multimodal dhe konkurrencën e sektorit të transportit në Rajonin Adriatiko-Jonian. Një nga arsyet kryesore që pengon rritjen dhe zhvillimin ekonomik të sektorit të transportit në rajonin e ADRION-it është mungesa e lidhjeve efikase detare dhe të brendshme, kryesisht të shkaktuara nga ekzistenca e pengesave të ndryshme në nivel kufitar.
ADRIPASS do të trajtojë këto problematika:
Analiza e ngërçeve fizike dhe jo fizike në seksionet korridore të Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T) të rajonit ADRION, me një fokus të veçantë në Ballkanin Perëndimor, ku janë vendosur pikat më të mëdha të kalimit kufitar (PKK); Testimi i zgjidhjeve specifike të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për riorganizimin e transportit të mallrave në portet ADRION, vendosjen e standardeve të cilat mund të përsëriten në ndërfaqet elektronike ne shkëmbimin e të dhënave në PKK. Partnerët do të fillojnë me një përkufizim të Metodologjisë së Përbashkët për mbledhjen e të dhënave në Pikat e Kalimit Kufitar. Informata të mjaftueshme tashmë janë në dispozicion përmes trashëgimisë së Projekteve të mëparshme të BE-së dhe disa studimeve të kryera nga SEETO (Observatori i Transportit të Evropës Juglindore). Megjithatë, do të nevojiten përditësime dhe informacione të reja. Do të zhvillohen plane veprimi në secilin port rreth sistemeve të komunikimit portual dhe shkëmbimit efektiv të informacionit, me qëllimin për të përshpejtuar proçeduar në dogana si dhe proçedurat e ndryshme administrative, pa vënë në rrezik sigurinë e porteve. Së fundi, partnerët do të zhvillojnë një strategji të përbashkët për rritjen e efikasitetit të transportit multimodal dhe konkurrencën e sektorit të transportit në rajonin Adriatik-Jon. Si rezultat, do të nxirret një Memorandum Mirëkuptimi për të përmirësuar lidhjen rajonale dhe ndërkufitare në zonën ADRION.

Lini një Përgjigje

Copyright © 2021 Autoriteti Portual Durres . All Rights Reserved