Category: Uncategorized

Thellimi i portit, vendimi i BERZH-it për kredinë pas dy muajsh 21 tetor 2013

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH brenda këtij viti do të vendosë, lidhur me kredinë që do të mundësojë zbatimin e projektit për thellimin e pjesës nënujore të basenit portual, pranë kalatave si dhe kanalit hyrës në portin e Durrësit.

Në një nga Buletinet e fundit të saj BERZH bën me dije se miratimi përfundimtar për dhënien e kredisë pritet të shpallet më 10 dhjetor të këtij viti.

Projekti i propozuar kërkon financimin për thellimin e kanalit hyrës dhe basenit portuale në Portin e Durrësit, gjë që mundëson hyrjen dhe akostimin e anijeve 30- mijë tonëshe apo me një ngarkesë prej 1700 TEU njësi kontejnerike.

Thellimi i portit të Durrësit pritet të ketë një impakt të rëndësishëm në trafikun detar të anijeve tregtare, duke rritur interesimin e vendeve të rajonit për volume të mëdha transporti nëpërmjet portit më të madh të vendit tonë.

Takim me Përfaqësuesit e Zyrave të Autoritetit Portual Durrës në Kosovë dhe Shkup 06 nëntor 2013

Në ambientet e portit të Durrësit Drejtori i A.P.D-së z.Belortaja dhe Zv/Drejtori i Përgjithshëm z. Qirici, zhvilluan takimin me Përfaqësuesit e Zyrave të A.P.D- ës në Prishtinë dhe Shkup, si një mundësi për t`u njohur me situatën aktuale   të importeve dhe eksporteve detare nga Kosovës dhe Maqedonisë.

Gjatë takimit Oliver Markoski (përfaqësues i Zyrës së Maqedonisë), bëri një prezantim të punës së deritanishme, sipas tij qëllimi kryesor i saj është “të shtrirjë në të ardhmen profesionalizmin, efiçencën dhe risitë e portit të Durrësit dhe të zgjerojë veprimtarinë e tij. “Jemi duke përpunuar një plan të ri i cili do të përfshijë disa etapa për vendosjen në efiçencë të zyrave tona në Prishtinë dhe Shkup për zgjerimin e mëtejshëm në Beograd dhe në të gjitha zonat përreth” u shpreh z. Markoski.

Z. Ragip Grainca (përfaqësues i zyrës së Kosovës) përveç të tjerave propozoi idenë e organizimeve të “Forumeve Ndërvepruese”, në Prishtinë dhe në Shkup me qëllim njohjen e mëtejshme të portit, zhvillimeve të fundit të saj dhe tërheqjen e subjekteve të interesuar për të ndërvepruar me portin e Durrësit.

Gjithashtu u dhanë disa propozime për rritjen e efikasitetit të punës dhe rritjen e kapaciteteve të përpunimeve me qëllim rritjen e konkurencës së portit të Durrësit me portet e ballkanit i cili favorizohet nga vendosja strategjike që ka porti i Durrësit.

Z. Qirici në fjalën e tij u shpreh se “Përsa i përket parashikimeve për rritjen e transportit të mineraleve, ne kërkojmë që strategjia e portit të jetë që këto material të vijnë në port me konteinerë në mënyrë që të minimizohet sa më tepër ndotja e portit dhe impakti negativ që ka në qytet”.

Z. Qirici, prezantohet si Zëvëndës/Drejtor i Përgjithshëm i A.P.D-ës 01 nëntor 2013

Z.Artjan Qirici është emëruar Zëvëndës/Drejtor i Përgjithshëm i A.P.D-ës me vendim të Këshillit Drejtues Nr.26 dt.01.11.2013. Këshilli Drejtues vendosi emërimin e z. Qirici pas propozimit të bërë nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës. Vendimi “Për emërimin e Zv/Drejtorit të Përgjithshëm të Portit të Durrësit” është marrë në mbledhjen e Këshillit Drejtues të APD-së, që u zhvillua ditën e premte në ambientet e Portit të Durrësit.

Drejtori i A.P.D-ës, Z.Selim Belortaja në një takim të zhvilluar me stafin e A.P.D-së prezanoi Zëvëndës Drejtorin e Përgjithshëm të A.P.D-së Z. Artjan Qirici, i cili u shpreh se “Z.Qirici ka një eksperiencë pune në sektorin privat në Greqi si inxhinjer mekanik me përvojë në katër sektorë; atë të teknologjisë, transportit, industrisë dhe marinës”.

Zëvëndës/Drejtor i Përgjithshëm i APD-së, Artjan Qirici në fjalën e tij falenderoi të pranishmit për prezencën dhe nënvizoi se, “siç është shprehur  dhe Z.Belortaja “Ligjshmëria, Efiçenca dhe Konkurueshmëria” janë për të tre sfidat kryesore gjatë punës së tij, po unë dua të plotësoj dhe të mos harrojmë asnjëherë që porti i Durrësit është pjesë e qytetit të Durrësit dhe si  i  tillë  mbetet porti strategjik i të gjithë vëndit dhe me punë të përbashkët do të vazhdojmë të realizojmë programin tonë”.

Më tej Z. Qirici, në fjalën e tij propozoi harmonizimin dhe shkëmbimin e ndërsjelltë që duhet të ketë portit me qytetin e Durrësit.

Për mua bashkëpunimi me Z. Belortaja do të jetë një eksperienë dhe përvojë e madhe nisur dhe nga karriera e tij akademike dhe ekzekutive.

Arsimi dhe Kualifikimi

  • Qirici është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i “Inxhinieri mekanike dhe elektrike”
    • Gjatë periudhës 1985-1987 z. Qirici ka punuar si Inxhinjer mekanik në “Kombinatin Ushtarak Poliçan”.
    • Gjatë periudhës 1988 – mars 1991, ka punuar si Inxhinjer Teknollog në Uzinën Mekanike të Naftës, Kuçovë.
    • Nga periudha mars 1991- dhjetor 1993, ka punuar si Drejtues Teknik në një nga kompanitë më të mëdha të anijeve të pasagjerëve “Hilo- Lines” si dhe të madhrave “Sea-Coral” në Pirea, Greqi.
    • Në vititn 1994-1995 është diplomuar si “2- Engineer Shipping” dhe ka punuar si “Mekanik i II” në anijen Hydrofoil`s & Cargo Ship.
    • Nga viti 1995-1997 Është emëruar bashkë-pronar dhe menaxher në kompaninë Private “General Ship Repair”, “Pegasus”, në Greqi.
    • Në periudhën mars 1997- tetor 2013, është emëruar Drejtor Ekzekutiv   në kompaninë “Aris Qirici& Co LTD”.

Kroçera “Deutschland” me 372 turistë, për herë të parë në Durrës 30 tetor 2013

Sot paradite në portin e Durësit u ankorua për herë të parë kroçera “Deutschland”, me 372 turistë në bord. Kroçera me flamur gjerman vjen në Durrës në kuadër të një turi mesdhetar, që ka nisur më 24 tetor dhe do të përfundojë më 6 nëntor.

Pjesa më e madhe e turistëve janë gjermanë, por nuk mungojnë edhe vizitorë nga Austria, SHBA, Greqia dhe Izraeli. Sipas një programi të paracaktuar, turistët kanë filluar të vizitojnë qendrat arkeologjike dhe muzeale në Durrës, Krujë, Apolloni, Berat dhe Tiranë.

Anija kroçerë është ankoruar në kalatën 5/a.

Kroçera “Deutschland”, është nisur nga porti i Venecias, dhe më pas ka ndaluar në Koper, Dubrovnik e Kotorr. Pas qëndrimit prej 14 orësh në Durrës sot në mbrëmje ajo do të niset për në Korfuz, e më pas Itakë dhe Pire.

“Deutschland” ështe një kroçerë me 5 yje, e arreduar me një përzierje dizajni modern-klasik. Mjediset e saj janë shfrytëzuar për shumë vite për realizimin e telefilmit “Barka e Ëndrrave”, ndërsa në verën e vitit 2012, e ankoruar në portin e Londrës, “Deutschland” është përdorur si qendër rezidenciale për ekipin olimpik gjerman. Kroçera ka një personel prej 276 vetë. “Deutschland”, e cila ka vizituar portin e Vlorës në vitin 2012, ka planifikuar një vizitë tjetër në Durrës në tetor të vitit 2014.

Delegacioni ekonomik gjerman, vizitë dyorëshe në port -Sekretari Parlamentar i Shtetit, z. Ernst Burgbacher, në krye të Delegacionit- 3 tetor 2013

Një delegacion gjerman i Ministrisë së Ekonomisë dhe Teknologjisë, i drejtuar nga Sekretari Parlamentar i Shtetit, Z. Ernst Burgbacher vizitoi sot paradite portin e Durrësit.
Delegacioni shoqërohej nga një përfaqësi prej 15 anëtarësh të Shoqatës ekonomike Gjermani – Shqipëri, si dhe nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, z. Hellmut Hoffmann.
Delegacioni u prit nga drejtori i përgjithshëm i Autoritetit portual, Eduard Ndreu, i cili prezantoi përmbledhtazi kapacitetet e portit më të madh të vendit, si dhe modernizimin e tij në vite. Z. Ndreu theksoi se konsulenca gjermane është e pranishme në port që nga viti 1998 dhe se Ligji për Autoritetin portual në vitin 2003 është hartuar me kujdesin e studios gjermane “Hamburg Consulting”.

Më pas drejtori i APD foli për procesin e dhënies me konçesion të Terminaleve portuale, si pjesë e strategjisë së përcaktuar nga ligji për APD.
Sekretari Parlamentar I Shtetit, Ernst Burgbacher, falenderoi për mikpritjen dhe u shpreh i kënaqur me zhvillimet portuale, si dhe me nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në këtë fushë. Ai tha se prania e grupit që ai drejton në Durrës është tregues I interesimit të veçantë të biznesit gjerman për shkëmbime ekonomike në të ardhmen. Z. Burgbacher i ftoi drejtuesit e portit për vizitë në disa nga portet e Gjermanisë, si një mundësi bashkëpunimi më shumë mes palëve.
Delegacioni gjerman nën drejtimin e z. Ndreu zhvilloi më pas një vizitë dyorëshe në terminalet kryesore të portit të Durrësit, ku u njoh më nga afër me investimet dhe ndryshimet pozitive në hapësirën portuale.

The Word” kroçera me 174 turistë – 40 orë në portin e Durrësit 01 Tetor 2013

174 turistë nga vende të ndryshme të botës kanë mbërritur sot paradite në portin e Durrësit me kroçerën “The World”. Turistët që vijnë kryesisht nga SHBA,  Britania e Madhe, Kanadaja, Hollanda, etj. do të qëndrojnë mbi 40 orë në Durrës dhe kroçera do të niset drejt njërit prej porteve të Malit të Zi të mërkurën në mbrëmje.

Kroçera “The World” me flamur Bahamas ka një gjatësi prej 196 metrash. Ajo mbërriti sot paradite nga Santorini (Greqi) dhe është ankoruar në kalatën 5 të portit më të madh të vendit.

Që nga fillimi i muajit shtator në port janë ankoruar tre kroçera dhe dy anije me vela, me një numër të përgjithshëm prej afro 1200 turistësh.

Anija turistike “World”, mjaft luksoze, vjen për herë të parë në Durrës dhe qëndrimi i saj në port një natë përbën gjithashtu një risi për praktikat e zakonshme të kroçerave.

Turistët e ndarë në grupe u nisën sot paradite drejt qyteteve të Tiranës dhe Krujës, ndërsa dy grupe të tjera në drejtimin e guidave të specializuara po njihen me monumentet dhe muzetë e qytetit antik të Durrësit.

Këto anije turistike vazhdojnë lundrimin gjatë gjithë vitit dhe udhëtarët i bashkohen grupit në porte të ndryshme, siç ndodhi me tre turistë nga Hollanda, që filluan turin mesdhetar sot nga porti i Durrësit.

Kroçera “Azamara Quest” me 660 turistë mbërriti sot në port 25 shtator 2013

Kroçera “Azamara Quest” me 660 turistë të huaj në bord mbërriti sot paradite në portin e Durrësit. Anija gjigante turistike me flamur maltez u ankorua në orën 7.00 në kalatën 5, sipas programimit të APD-ës.

Rreth 180 turistë të huaj u nisën menjëherë për vizita të organizuara me autobuzë drejt qyteteve të Beratit, Krujës dhe Tiranës, ndërsa një grup me turistë nga Japonia dhe Hong Kongu përzgjodhën një guidë të ndryshme, përmes një agjencie turistike vendase.

Shumica e vizitorëve janë shtetas nga SHBA (213), Zelanda e Re (109), Britania e Madhe (90), Kanadaja (58) dhe Australia (48). Në kroçerën që po zhvillon një tur mesdhetar nuk mungojnë edhe turistë nga Norvegjia, Japonia, Kroacia, Danimarka, Brazili, Kili, Argjentina, Venezuela, Suedia, Portugalia, Singapori, Hong Kongu dhe Zvicra.

Kroçera, e cila lundron gjatë natës erdhi nga Dubrovniku (Kroaci) dhe sot në orën

20.00 do të niset për në Ravena (Itali). Pjesa mesdhetare e turit ka nisur më 21

shtator në Venecia dhe do të përfundojë po atje ditën e djelë, pas vizitave në porte të ndryshme të Italisë dhe Kroacisë, përfshirë edhe Durrësin (Shqipëri).

Anija turistike me një personel prej 408 vetësh mbërrin për herë të parë në vendin tonë. Ajo ka një gjatësi prej 181 metrash dhe është pjesë e kompanisë së kroçerave RCCL.

“Azamara Quest” është anija e dytë më e madhe turistike që ka vizituar portin e Durrësit, pas “Artanias” me gjatësi 231 metra.

Kroçera “Kristina Katarina”, 289 turistë nga Finlanda në Durrës 12 shtator 2013

Sot paradite në portin e Durrësit u ankorua kroçera “Kristina Katerina” me 289 turistë në bord.

Sipas agjencisë pritëse Intermed Shiping, anija turistike është ankoruar në kalatën  4 dhe shumica e turistëve janë nga Finlanda. Kroçera mbërriti në qytetin bregdetar nga porti i Venecias. Ajo po kryen një tur mesdhetar 1-javor.

Pas ndalesës prej 14 orësh sot në Durrës, në mbrëmje, kroçera “Kristina Katerina” do të vijojë lundrimin drejt Brindizit (Itali). Turistët e huaj sot do të vizitojnë Durrësin, Krujën dhe Beratin-nënvizuan burimet e agjencisë detare.

Anija turistike “Kristina Katarina” ka vizituar disa herë portin e Durrësit. Për herë të fundit ajo u ankorua në portin më të madh të vendit tonë në maj të këtij viti.

Terminali i Trageteve, Shoqërise Konçesionare “Albanian Ferry Terminal Operator” 11 Shtator 2013

Autoriteti Portual Durrës ka kryer sot proçedurat e dorëzimit të Terminalit dhe të transferimit të Punonjësve ndaj shoqërisë Konçesionare. Me dhënien në Konçesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes dhe permirësimit teknik të Terminalit të Trageteve, APD pas dhënies më parë në Konçesion të shërbimeve të Terminalit të Konteinereve dhe Terminalit Lindor ka kryer një hap tjetër të rëndësishëm në zbatim të Ligjit për Autoritetin Portual Durrës. Me kryerjen e privatizimit të shërbimeve të Terminalit Perëndimor, proçedurë e cila po vazhdon, APD plotëson komplet rolin e tij si port Administrues Toke sipas standarteve europiane.

Kontrata e Konçesionit të Terminalit të Trageteve është lidhur me datë 22.08.2013 midis MPPT dhe Shoqërise Koncesionare “Albanian Ferry Terminal Operator” Shpk, bashkimi i Shoqërive FRS Chartering Beteiligunsgesellschaft MBH dhe Global Networks Albania shpk

Objekti i kontratës

Autoriteti Kontraktor, nëpërmjet kësaj Kontrate dhe në përputhje me kushtet e saj,  i jep Konçesionarit të drejtën për investimin, menaxhimin, operimin, mirëmbajten dhe përmirësimin teknik, dhe adaptimin për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në Terminalin e Trageteve dhe Kroçerave Durrës (TTD), duke përfshirë imbarkimin dhe disimbarkimin e Anijeve të kombinuara për pasagjerë dhe/ose RoRo (tragete, katamarane etj) dhe të Kroçerave dhe aktivitete përkatëse të lidhura me to si ankorimi i anijeve, lëvizja e udhëtarëve në terminal, orientimi, depozitimi, magazinimi i mjeteve, pozicionimi, transporti, spontimi, marrja dhe shpërndarja dhe përfshirjen e sigurimin e burimeve të nevojshme që janë mjetet dhe pajisjet, sistemet, praktikat proçedurat dhe programet, organizimin dhe burimet njerëzore në përputhje me praktikat më të mira industriale

Zona në të cilën shtrihet ky Konçesion (nga kalatat 8, 9 së bashku me zonat dhe sheshet korresponduese të operacioneve, trafikut dhe të depozitimit, përfshirë terminalin e pasagjerëve në zonën veriore sipas Master Planit të Portit të Durrësit dhe kalata nr. 7 pa sheshet pas kësaj kalate, dhe gjithashtu zona e parkimit dhe kryerjes se proçedurave paraprake pranë hyrjes nr. 4 të Portit të Durrësit). Shoqëria konçesionare do të investojë për 10 vitet e para rreth 4,143,000

euro nga të cilat 2,553,000 euro në Mjete dhe makineri, pajisje përpunuese dhe operative e nevojshme dhe rreth 1,590,000 Euro për infrastrukturën.

Me dhënien në Konçesion të menaxhimit dhe operimit të Terminalit APD do të vazhdojë të ketë 100% të ardhurat nga tragetet, si ato të kanalit dhe të përdorimit të kalatës, ndërkohe që do të ketë të ardhura të tjera nga të gjitha shërbimet në masën 50% dhe të ardhurat nga qeraja vjetore. Ndërkohë, që Autoriteti Kontraktor MPPT do të ketë 2% të të ardhurave.

Copyright © 2022 Autoriteti Portual Durres . All Rights Reserved