Category: Uncategorized

Mbërrin veliera turistike “Sea Cloud”, lundrimi i parë i këtij viti drejt Durrësit/ 8 qershor 2023

Sot paradite në portin e Durrësit mbërriti veliera “Sea Cloud” më 53 turistë të huaj në bord, pjesa më e madhe e të cilëve nga SHBA, si dhe nga Australia, Suedia, Italia, Kanadaja dhe Gjermania.

Anija turistike u ankorua rreth ores 8.00 në kalatën 5 të portit më të madh të vendit.

Shumë prej udhëtarëve me të mbërritur në port u nisën drejt Krujës dhe Tiranës, ndërsa të tjerët do të vizitojnë qendrat historike dhe arkeologjike të Durrësit.

Nga të dhënat e agjencisë së lundrimit “Intermed Shiping” mësohet se veliera që po kryen një udhëtim turistik në Mesdhe është nisur natën e kaluar nga Kotorri, ndërsa sot në mbrëmje do të vijojë lundrimin drejt Porto Palermos(Sarandë).

Veliera “Sea Cloud” me një personel prej 58 vetësh ka një gjatësi 110 metra dhe është e regjistruar në portin e La Valetas. Ajo viziton Durrësin prej mw shumw se 10 vitesh.  Ajo do të ankorohet në portin e Durrësit edhe disa herë të tjera.

50 vite “Dita Botërore e Mjedisit”/ 5 qershor 2023

Në këtë 50 vjetor të celebrimit të “Ditës Botërore të Mjedisit”, e cila këtë vit përcillet me tematikën “Të fitojmë mbi mbetjet plastike”, Autoriteti Portual Durrës i bashkohet edhe këtë vit nismave dhe fushatave sensibilizuese të cilat kanë në fokus rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe promovimin e zgjidhjeve të gjelbra dhe të qendrueshme sa i përket industristrisë detare dhe jo vetëm.

Të fitojmë mbi mbetjet plastike!

Tematika e përzgjedhur për orientimin e fushatës së këtij 50 vjetori ka për qëllim sensibilizimin mbi ndotjet plastike. Ndërsa plastika gjen përdorime të shumta dhe të vlefshme në një sërë industrish të rëndësishme për ekonominë globale, për rrjedhojë produktet plastike janë kthyer në një nga zgjidhjet e shpeshta në përditshmërinë e gjithësecilit prej nesh duke sjellë kështu pasoja të rënda mjedisore, sociale, ekonomike dhe shëndetësore.

Në të gjithë botën, një milion shishe plastike blihen çdo minutë, ndërsa deri në pesë trilion qese plastike përdoren po ashtu, çdo vit. Në total, gjysma e të gjithë plastikës së prodhuar është projektuar për qëllime njëpërdorimshe pra për t’u hedhur më pas ose ricikluar.

Plastika, përfshirë mikroplastikën, aktualisht janë të kudondodhura në mjedisin tonë natyror. Ato po bëhen pjesë e të dhënave fosile të tokës dhe një shënues i Antropocenit, epokës sonë aktuale gjeologjike duke sjellë edhe krijimin e një habitati të ri mikrobik detar të quajtur “plastisfera”.

Në këtë kuadër, porti i Durrësit duke konsideruar jo vetëm rëndësinë që mjedisi detar mbart për mbarëvajtjen e industrisë portuale por edhe impaktin që ky mjedis ka në komunitetin e qytetit port është kujdesur që të bashkëpunojë edhe me strukturat vendore në iniciativat për mbrojtjen mjedisore nëpërmjet implementimit të politikave të gjelbra, angazhimit në aktivitetet për pastrimin vullnetar të zonave bregdetare të qytetit, kontributit në përkudesjen ndaj mjediseve të gjelbëruara si dhe në procesin e riciklimit me implementimin  e koshave riciklues  në të gjitha hapësirat territoriale të portit të cilat mundësojnë ndarjen e mbetjeve në burim. 

Pak histori

Dita Botërore e Mjedisit është caktuar 50 vjet më parë në 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur reagimet individuale në këtë drejtim.

U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.

Qëllimi i kësaj dite është të nxisë aktivitete dhe aksione për të sjellë ndryshime positive  dhe zgjidhje të qenësishme në mbrojtje të mjedisit.

Kjo ditë zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar. Disa prej tematikave të përzgjedhura në të kaluarën kanë patur në fokus kujdesin ndaj tokës dhe ujit, mbrojtjen e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e qendrueshëm duke pasur gjithnjë në vëmendje ruajtjen e shëndetit publik.

Panairi i Punës dhe Karrierës/ CEMA vijon bashkëpunimin me UAMD/ 25 maj 2023

Për të tretin vit radhazi, Autoriteti Portual Durrës bëhet pjesë e “Panairit të Punës dhe Karrierës”, organizuar nga “Universiteti Aleksandër Moisiu Durrës”.

Një në 5 punonjës të Autoritetit Portual Durrës ka përfunduar një prej cikleve të studimit pranë UAMD, ndërsa 1 në 3 praktikanë që zhvillon praktikën pranë nesh, vjen nga auditorët e UAMD. 

Gjithashtu, mbi 15 punonjës të Portit kanë mundur të ndjekin programe të kualifikimit të vazhdueshëm në nivel Master pranë UAMD.

Ky bashkëpunim po thellohet dita ditës përmes Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA) për të mundësuar:

  • Kurrikula të reja që përgatisin studentët për tregun e punës në sektorin detar
  • Kualifikime dhe çertifikime për profesionistët e logjistikës portuale
  • Praktika profesionale në inxhinieri, IT, financë, mjedis dhe administrim portual

Të pranishëm në Panairin e Punës dhe Karrierës ishin aktorë të botës akademike, sipërmarrjes, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, ku u diskutua mbi prirjet e tregut të punës në vend, përgatitjen e të studentëve për të qenë sa më konkurrues, si dhe Rektorja e UAMD-së, Dekani i Fakultetit të Biznesit, Kryetarja e Bashkisë së Qytetit të Durrësit, si dhe Kreu i Dhomës së Tregtisë Durrës.

STATISTIKA/ Rriten me 8 % hyrje-daljet nëpërmjet Portit të Durrësit/ 23 maj 2023

Transporti i udhëtarëvë nga Porti i Durrësit drejt porteve italiane dhe anasjelltas ka ruajtur trend rritës gjatë katër muajve të parë të këtij viti.

Sipas të dhënava zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, tragetet e linjave Durrës-Bari/Ankona-Durrës kanë realizuar 291 lundrime, duke transportuar 152, 377 pasagjerë, prej të cilëve  93,425 shqiptarë dhe 45,670 të huaj. 

Të njëjtat burime konfirmojnë se vetëm gjatë muajit prill 2023, në pikën kufitare të Portit të Durrësit kanë hyrë dhe dalë 42,416 pasagjerë dhe 16, 008 vetura, trailer e kamionë.  Ky numër reflekton një rritje me 3, 287 pasagjerë më shumë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më pare, pra prill  2022.

Autoriteti Portualat Durrës në bashkëpunim me të gjitha instancat, të cilat operojnë në portin më të madh në vend, janë duke planifikuar dhe masat e nevojshme për sezonin turistik veror, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së operacioneve në nisje të këtij sezoni, të fokusuara kryesisht në rritjen e parametrave të sigurisë dhe shërbimeve që ofrohen nga subjektet private në sektorin e udhëtarëve.

Delegacioni i KFOR, vizitë në Portin e Durrësit/ 11 maj 2023

Një delegacion me ushtarakë të KFOR-it ka vizituar ditën e djeshme Portin e Durrësit, vizitë kjo e kryer në kuadër tëbashkëpunimit të suksesshëm disavjeçar midis palëve.

Delegacioni i kryesuar nga Kolonel Berthold Sandtner, OF 5, i Grupit Mbështetës si dhe disa prej përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm të KFOR, u prit në ambjentet e portit më të madh në vend nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekuti i Autoritetit Portual Durrës, z.Pirro Vengu si dhe anëtarë të tjerë të stafit ekzekutiv të institucionit.

Z. Vengu pas fjalës mikpritëse, nënvizoi gatishmërinë e autoritetit që ai drejton për vijimësinë e bashkëpunimit me strukturat e KFOR-it, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm tëstandardeve të sigurisë si dhe koordinimin më efikas të agjencive ligjzbatuese të cilat operojnë në hapësirat portuale.

Kreu i APD-së, i njohu gjithashtu me investimet madhore dhe 2 projektet strategjike të cilave po ju nënshtrohet aktualisht Porti i Durrësit si dhe mbi fazat e zhvillimit në të cilat ndodhen këto tëfundit duke nënvizuar edhe rëndësin që ato mbartin në aspektin e sigurisë kombëtare dhe rajonale.

Në vijim të takimit, ekipi  KFOR shfaqi interes mbi kapacitetet përpunuese si dhe standarded dhe planet e sigurisë tëimplementuara në port si një ndër pikat më të rëndësishme tëkalimit kufitar në vend. Delegacioni i pranishëm prezantoi dhe planet e afërta për zhvillimin e disa seancave stërvitore tëpërbashkëta me forcat vendase në funksion të rritjes së nivelit tëndërveprimit si një prej pikave kryesore të planit të trajnimit tënjësive të KFOR-it.

Në mbyllje të takimit, delegacioni shprehu mirënjohjen dhe vlerësoi asistencën dhe kontributin e ofruar nga Porti i Durrësit, gjatë proceseve të dislokimit të mjeteve dhe trupave ushtarake, si dhe vlerësoi mirëadministrimin e territorit portual dhe infrastrukturën e sigurisë portuale si një ndër asetet e rëndësisë së veçantë kombëtare.

Kreu i Portit të Igumenicës vizitë në Portin e Durrësit, në fokus forcimi i bashkëpunimit tregtar/ 8 maj 2023

Kreu Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z. Pirro Vengu, priti në një takim dypalësh delegacionin grek të kryesuar nga kreu i Autoritetit Portual të Igumenicës, z. Athanasios Porfiris.

Pas një pasqyrimi mbi performancën dhe kapacitetet që ofron Porti i Durrësit në infrastrukturën aktuale, kreu i APD-së, e njohu delegacionin e vendit fqinj me investimet  dhe projektet ambicioze të  qeverisë shqiptare në drejtim të infrastrukturës portuale dhe zhvillimit të marinës turistike në Durrës.

Z. Vengu i’u përgjigj interesit të palës greke mbi thellimin e bashkëpunimit tregtar, veçanërisht në aspektin e transportit të pasagjerëve dhe krocierave mes dy vendeve. Në këtë konteskt, palët ranë dakord që të dyja portet të intensifikojnë bashkëpunimin në kuadër të programeve europiane të dedikuara për hapësirën Adriatiko-Joniane, në veçanti për sa i përket tranzicionit të gjelbër të infrastrukturave portuale dhe rritjes së inovacionit.

Në këtë vizitë, kreu i Portit të Igumenicës z. Porfiris shoqërohej nga anëtarë të bordit drejtues dhe atij ekzekutiv të Autoritetit Portual të Igumenicës.

Durrësi çel sezonin e kroçierave turistike, “Bukuroshja e Adriatikut” sjell 134 turistë francezë/ 24 prill 2023

Durrësi ka nisur zyrtarisht sezonin e kroçierave turistike edhe për këtë vit kalendarik. Mëngjesin e kësaj të hëne është akostuar në Portin e  Durrësit “La Belle De L’Adriatique”, e cila ka sjellë 134 turistë, kryesisht francezë.  

Për të disatin vit radhazi është pikërisht “Bukuroshja e Adriatikut”, që hap siparin e sezonit turistik për kroçierat të cilat sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës.

Turistët e huaj, gjatë qëndrimit një ditor në Durrës, ndalen në sitet arkeologjike të Durrësit, Krujës e Tiranës.

Anija me gjatësi 111 m, e cila lundron nën flamurin belg u ankorua në kalatën 5 të portit. Ky nuk do të jetë lundrimi i saj i vetëm drejt Durrësit për këtë vit, ndërsa mësohet se gjatë këtij sezoni kjo anije turistike do të vizitojë portin më të madh të vendit edhe 5 herë të tjera.

“Monet”, “Sea Cloud, “Amadea” apo “Seven Seas” janë disa nga kroçerat që do të rikthehen edhe këtë sezon në portin e Durrësit.

Anijet turistike dhe jahtet po përfshijnë gjithnjë e më shumë vendin tonë në agjendat e tyre, duke e kthyer në një prej distanacioneve të preferura. Sipas të dhënave zyrtare nga Dispeçeria Qendrore e Autoritetit Portual Durrës, përgjatë periudhës prill-tetor 2023, 23 kroçiera kanë konfirmuar ndalesë turistike në Durrës.

Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për pritjen e anijeve dhe sigurinë e turistëve në territorin portual, duke vënë kalatë të dedikuar në funksion të tyre përgjatë gjithë sezonit.

Në përfundim të vizitës së saj në Durrës, kroçera “La Belle de L’Adriatique” do të niset drejt Portit të Barit, Mal i Zi për të vijuar eksplorimin e siteve turistike në brigjet e Mesdheut.

Menaxhimi i qendrueshëm i Porteve, stafi i APD-së trajnim nga ekspertët ndërkombëtar/ 14 prill 2023

U zhvillua në ambjentet e Sallës së Konferencave “Hysni Aruçi” të APD-së trajnimi katër ditor  mbi Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm të Porteve (SDG-Sustainability Development Goals) bazuar në formatin IAPH/APEC.

 Realizimi i tij vjen  në kuadër të programeve të kualifikimit profesional të stafit menaxherial të Autoritetit Portual Durrës, si një iniciativë e Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare (CEMA) dhe  Njësisë së Standardeve dhe Cilësisë në APD, në bashkëpunim me ekipin e  konsuletëve të TMC(Training Management Consulting) dhe ekspertëve të Portit të Antwerpit (PAI).

Përmirësimi i aftësive menaxheriale dhe njohurive për të përdorur në praktikë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, ishte në fokus të këtij trajnimi të drejtuar nga Joachim Verheyen, trajnues i ekipit të konsuletëve të Menaxhimit të Trajnimeve(TMC) dhe ekspert i PAI.

Integrimi i praktikave të zhvillimit të qendrueshëm në administrimin dhe politikat portuale, menaxhimi i projekteve infrastrukturore dhe mjedisore si një mjet për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm, ndërtimi i partneriteteve të suksesshme për SDG-të si dhe Sistemet e Menaxhimit Mjedisor përfshirë edhe ISO 14001, ishin tematikat e zhvilluara.

Duke u fokusuar në zhvillimet e rëndësishmë portuale që po ndodhin në Durrës, Autoriteti Portual Durrës, paralelisht po realizon implementimin dhe promovimin e objektivave të OKB-së, të fokusuara në zhvillimin e qëndrueshëm në porte në përputhshmëri me konventat ndërkombëtare detare si dhe standardet ndërkombëtare ISO.

CEMA dhe Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë, praktikë njohëse në Portin e Durrësit për Kursin e Lartë të Oficerit/ 29 mars 2023

Në zbatim të programit mësimor me Kursin e Lartë të Oficerit (KLO), Qendra e Ekselencës për Çështje Detare (CEMA) në bashkëpunim me Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë ka zhvilluar ditën e sotme një praktikë njohëse me kursantët e KLO në hapësirat e Portit të Durrësit, si pjesë e strukturave kyçe të vendit tonë.

Kursi i Lartë i Oficerit është kursi më i lartë në hierarkinë e arsimit ushtarak profesional shqiptar, i cili ka një rëndësi të veçantë sepse realizon kalimin e përgatitjes së oficerit nga niveli taktik në atë operativ dhe strategjik. Ky kurs përgatit oficerë të gradës nënkolonel komandues dhe shtabi të nivelit operativ-strategjik, të aftë për të vepruar në mjedise strategjike dhe operacionale si dhe për të trajtuar me efektivitet problemet komplekse që lidhen me sigurinë kombëtare veçanërisht në rrethanat e shqyrtimit të opsioni politik për përdorimin e fushës ushtarake.

Në fokus të këtij kursi, në të cilin morrën pjesë edhe kursantë nga Republika e Kosovës ishte dhënia e një vështrimi të përgjithshëm mbi kapacitetet aktuale të portit, të cilat lidhen me përpunimin e mallrave dhe mjeteve si dhe procedurat e imbarkimit dhe zbarkimit të mjeteve lundruese. Një theks të veçantë në këtë aktivitet morrën edhe dy projektet e reja të qeverisë shqiptare për rivitalizimin e infrastrukturës portuale siç është kompleksi i ri portual Durrës-Porto Romano, ku interes të shprehur nga ana e kursantëve pati veçanërisht mbi projektin e bazës autonome ushtarake e cila është pjesë integrale e rëndësishme e portit të ri në Porto Romano që do të operojë në funksion të Forca Ushtarake Vendase dhe NATO-s.

Në kuadër të programit mësimor të KLO u ofruan për kursantët edhe njohuritë mbi parapërgatitjen për zhvillimin e stërvitjeve me vetëkomandë si dhe njohja e pikave të mundshme të zbarkimit të një strukture operacionale (CJTF) në funksion të stërvitjeve apo misioneve të mundshme të NATO-s të cilat u shoqëruan me vizita në terren në terminalet e Portit të Durrësit.

Projekti i Portit Tregtar të Durrësit, mbahet konferenca e rëndësishme në Tiranë/ 22.03.2023

Projekti strategjik i portit të ri tregtar të Durrësit ishte në fokus të Konferencës së organizuar në ambjentet e Universitetit Politeknik të Tiranës, me temë “Zhvillimin e infrastrukturës portuale dhe indikatorët e Rrjetit të Transportit Trans-Europian (TEN-T)”.

Si një instrument kyç për mirëpozicionimin e vendit tonë në Korridorin VIII-të dhe për të shoqëruar procesin e bashkëpunimit rajonal me një infrastrukturë të qendrueshme portuale dhe logjistike, porti i ri në Porto Romano pritet të sjell bashkëpunimkonkret dhe të prekshëm nëpërmjet përfshirjes në Rrjetin e Transportit Trans-Europian (TEN-T).

Në qendër të fjalës së tij, kreu i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, z.Matej Zakonjšek theksoi potencialin që mbartin për Korridorin VIII vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, jo vetëm si aktorë në ndërlidhjen e Detit Adriatik me Detin e Zi por gjithashtu edhe në përmirësimin e rrjetit të ndërlidhjes ndërmjet porteve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë fjalës së tij Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu, tha: “Ne jemi duke ju nënshtruar një tranzicioni drejt asaj që është sot standardi i industrisë portuale, drejt një modeli qeverisje më të gjerë të porteve tona i cili integron dy apo më shumë porte nën juridiksionin e një autoriteti të vetëm portual. Në këtë kuadër vizioni ynë për Porto Romanon sjell një ndryshim thelbësor në modelin e logjistikës dhe tregtisë detare rajonale. Ne po projektojmë një port të thellë, teknologjikisht të avancuar dhe të një standardi botëror i cili do të ketë kapacitetet e duhura për të përmbushur nevojat tregtare detare të dekadave të ardhshme jo vetëm për Shqipërinë po për rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.”

Më tej u theksua edhe interesin e lartë të institucioneve financiare europiane dhe ndërkombëtare për të mbështetur këtë projekt strategjik të qeverisë shqiptare, i cili do të transformojë jo vetëm sektorin detar vendas por dhe atë rajonal. Paneli drejtohej nga z. Ardian Haçkaj (CDI) dhe Dekani i Fakultetit te Arkitekturës dhe Urbanizmit, z. Armand Vokshi

Copyright © 2023 Autoriteti Portual Durres . All Rights Reserved