50 vite “Dita Botërore e Mjedisit”/ 5 qershor 2023

Në këtë 50 vjetor të celebrimit të “Ditës Botërore të Mjedisit”, e cila këtë vit përcillet me tematikën “Të fitojmë mbi mbetjet plastike”, Autoriteti Portual Durrës i bashkohet edhe këtë vit nismave dhe fushatave sensibilizuese të cilat kanë në fokus rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe promovimin e zgjidhjeve të gjelbra dhe të qendrueshme sa i përket industristrisë detare dhe jo vetëm.
Të fitojmë mbi mbetjet plastike!
Tematika e përzgjedhur për orientimin e fushatës së këtij 50 vjetori ka për qëllim sensibilizimin mbi ndotjet plastike. Ndërsa plastika gjen përdorime të shumta dhe të vlefshme në një sërë industrish të rëndësishme për ekonominë globale, për rrjedhojë produktet plastike janë kthyer në një nga zgjidhjet e shpeshta në përditshmërinë e gjithësecilit prej nesh duke sjellë kështu pasoja të rënda mjedisore, sociale, ekonomike dhe shëndetësore.
Në të gjithë botën, një milion shishe plastike blihen çdo minutë, ndërsa deri në pesë trilion qese plastike përdoren po ashtu, çdo vit. Në total, gjysma e të gjithë plastikës së prodhuar është projektuar për qëllime njëpërdorimshe pra për t’u hedhur më pas ose ricikluar.
Plastika, përfshirë mikroplastikën, aktualisht janë të kudondodhura në mjedisin tonë natyror. Ato po bëhen pjesë e të dhënave fosile të tokës dhe një shënues i Antropocenit, epokës sonë aktuale gjeologjike duke sjellë edhe krijimin e një habitati të ri mikrobik detar të quajtur “plastisfera”.
Në këtë kuadër, porti i Durrësit duke konsideruar jo vetëm rëndësinë që mjedisi detar mbart për mbarëvajtjen e industrisë portuale por edhe impaktin që ky mjedis ka në komunitetin e qytetit port është kujdesur që të bashkëpunojë edhe me strukturat vendore në iniciativat për mbrojtjen mjedisore nëpërmjet implementimit të politikave të gjelbra, angazhimit në aktivitetet për pastrimin vullnetar të zonave bregdetare të qytetit, kontributit në përkudesjen ndaj mjediseve të gjelbëruara si dhe në procesin e riciklimit me implementimin e koshave riciklues në të gjitha hapësirat territoriale të portit të cilat mundësojnë ndarjen e mbetjeve në burim.
Pak histori
Dita Botërore e Mjedisit është caktuar 50 vjet më parë në 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur reagimet individuale në këtë drejtim.
U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.
Qëllimi i kësaj dite është të nxisë aktivitete dhe aksione për të sjellë ndryshime positive dhe zgjidhje të qenësishme në mbrojtje të mjedisit.
Kjo ditë zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar. Disa prej tematikave të përzgjedhura në të kaluarën kanë patur në fokus kujdesin ndaj tokës dhe ujit, mbrojtjen e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e qendrueshëm duke pasur gjithnjë në vëmendje ruajtjen e shëndetit publik.
