Siguria Portuale

Autoriteti Portual Durrës është përgjegjës për sigurinë në port. FSPD ka për detyrë mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e infrastukturës, objekteve dhe vlerave të portit. Krijimin e nje mjedisi të sigurt dhe të përshtatshëm për Autoritetin Portual dhe operatorët e tjerë të cilët veprojnë në hapësirën e portit gjatë 24 orëve është objektivi kryesor i FSPD (Forca e Sigurisë Portuale Durrës).   

Kjo forcë lindi pas miratimit nga Parlamenti Shqiptar i ligjit Nr.9281 Dt 23.09.2004 për “Sigurinë në anije dhe porte”.
Hapa të tjerë të rëndësishëm të cilët ndihmuan në ngritjen dhe organizimin e FSPD ishte përgatitja e akteve ligjore dhe nënligjore. Asistimi i qeverisë amerikane ICITAP ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në punën e FSPD gjatë krijimit të saj dhe në vazhdimësi.

Falë impenjimit dhe seriozitetit të Forcës së Sigurisë dhe ICITAP, porti ynë ndryshoi rrënjësisht nga një ndër portet më problematike në një port me siguri të lartë, duke u renditur përkrah porteve të tjera Europiane.

Planet e sigurisë së portit të Durrësit janë në përputhje me Kodin Ndërkombëtar të Sigurisë së Anijevedhe Porteve, Organizatës Ndërkombëtare Detare(IMO) dhe Konventës (Solas)1974.   

Projekti mbi implementimin e një sistemi modern të sigurisë portuale, i cili është në një harmoni të plotë me Kodin Ndërkombëtar të Sigurisë, mbi faciletet Portuale dhe Anijet, u realizua me sukses me një kosto prej 201.086.859 lekë, i cili rriti në maksimum nivelin e sigurisë.

Plani i sigurisë së Portit të Durrësit u aprovua me 11 Korrik 2005 nga “Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacionit” në të cilin u përcaktua Niveli i (I) i sigurisë.   

Plani i sigurisë së Portit të Durrësit u përditësua në Prill 2015 nga “Ministria e Trasportit dhe Infrastrukturës”.   

Ky plan sigurie azhornohet çdo 6 muaj me ndryshimet infrastrukturore të kryera në portin e Durrësit.   

Me urdhër të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Nr.24, datë 08.01.2018, u miratua Regullorja “Për organizimin dhe funksionimin e strukturës të sigurisë portuale të Autoritetit Portual Durrës”, pjesë e së cilës është dhe FSPD-ja. 

Disa nga detyrat kryesore të FSPD janë:   

• Mbledhja, vlerësimi dhe shpërndarja e informacionit rreth kërcënimeve të sigurisë, shkëmbimi i informacione të tillë me qeverinë dhe autoritet e tjera të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare.   

• Komunikimi i mirë me anijet, sektorët portualë dhe parandalimi i hyrjeve të paautorizuara në anije, sektorëve portuale dhe zonave të tjera të shpallura të kufizuara.   

•Parandalimi i futjes së armëve të paautorizuara, mjeteve zjarrëvënëse ose lëndëve shpërthyese në anije ose sektorëve portuale si dhe çfarëdolloj mjeti ose substance që konsiderohet kërcënim për portin.   

•Bën të sigurt që plani i sigurisë të portit dhe gjithë planet e tjera rezerve mbi emergjencat dhe evakuimet të azhornohen .       

•Zhvillon trajnime ushtrime dhe stërvitje për të bërë të sigurtë që të gjithë përdoruesit e portit, autoritet portuale dhe autoritet lokale të jenë të familjarizuar me planet dhe proc edurat e ndryshme të sigurisë dhe reagon në kuadrin e këtyre planeve në kohën e duhur dhe në mënyrë profesionale.   

Prioritetet  kryesore të portit për sigurinë janë:   

•Plotësimi i kërkesava të Kodit ISPS.    
Përmirësimi i sigurisë në përgjithësi në port.   

FSPD zhvillon një numër shumë të madh stërvitjesh dhe kursesh trajnimi me tema të  ndryshme si psh: 

•Kërcënimet e sigurisë   

•Organizimi i sigurisë   

•Menaxhimi i incidenteve 

•Emergjencat civile 

•Nivelet e sigurisë   

•Siguria detare  

 •Armët e shkatërrimit në masë   

Disiplina e lartë, vullneti dhe veprimet maksimale kanë karakterizuar punën e kësaj force gjatë këtyre viteve.