Monitorimi i parametrave mjedisore në APD

Porti i Durrësit pozicionohet në brigjet e qytetit antik të Durrësit ndaj dhe ekosistemi i tij mbart një rëndësi jashtëzakonshme për banorët i cili konsiderohet një aset unik për qytetin. Ai gjithashtu është edhe porti më madh në vend dhe renditet ndër ekosistemet më të rëndësishme në basenin e Adriatikut, me një sipërfaqe totale prej 79 ha, i cili sot konsiston nga një industri e konsoliduar e transportit detar, infrastrukturë e zhvilluar portuale dhe një hapësirë masive e operacioneve dhe fasiliteteve të portit.

Por aktivitetet portuale shpesh mund të kenë impakt negativ në cilësinë e ajrit dhe ujërave detare në zonat përreth për shkak të operacioneve me karakter të shumëllojshëm ndaj dhe monitorimi dhe vlerësimi i vazhdueshëm i parametrave mjedisorë gjatë gjithë fazës së funksionimit të porteve me kapacitete të konsiderueshme operacionale siç është edhe Porti i Durrësit konsiderohet thelbësor sa i përket përcaktimit të niveleve të ndotjes, identifikimit të  burimeve të ndotjes, kontrollit dhe depozitimit të  mbetjeve si dhe parashikimit të niveleve të ndotjes për të ardhmen. Është shumë e rëndësishme që të gjithë projektet e zhvillimit të porteve të jenë të pajisura me një plan strategjik të menaxhimit mjedisor i cili përfshin monitorimin e cilësisë së ujit të detit dhe ajrit, së bashku me mbledhjen e të dhënave meteorologjike.

Autoriteti Portual Durrës (APD) si organi administrues i këtij porti ndër të tjera ka për detyrë të udhëzojë, planifikojë, bashkërendojë, promovojë dhe monitorojë operacionet e portit në kuadër të mbrojtjes mjedisore. APD është gjithashtu përgjegjës për mirëmbajtjen e zonave të përbashkëta dhe të ujrave detare, për mbikëqyrjen e shërbimeve me impakt mjedisor, administrimin e “pronës detare” dhe planifikimin e projekteve për zhvillimin e portit dhe standartet e këtyre të fundit. Për të qenë i suksesshëm në këtë aspekt, Porti i Durrësit synon të jetë një port i qëndrueshëm,i  cili promovon rëndësinë e mbrojtjes mjedisore dhe synon implementimin e aktiviteteve “të gjelbra” në hapësirat portuale të përkthyera edhe në projektet dhe masterplanet e zhvillimit të portit. Ekoportet e gjelbra kanë në fokus revolucionarizimin e konceptit të portit tradicional nëpërmjet një sërë veprimtarish dhe projektesh konkrete në mbrojtje të mjedisit në të cilin porti zhvillon aktivitetet e tij.

Sistemi i monitorimit, instrumentat e përdorura dhe metodologjitë e implementuara për kontrollin e parametrave mjedisorë në APD realizohen nga ekspertët e Njësisë së Mjedisit pranë Divizionit të Standarteve, Shëndetit dhe Emergjenceva nëpërmjet një sërë aparaturash laborike bashkëkohore të cilat mundësojnë matjet dhe analizat respektive për ujin, ajrin dhe nivelin e zhurmave përkatësisht:

Monitorimi i cilësisë së ajrit nëpërmjet:

-Matjes së grimcave të pluhurit në ajër, nivelit të  rreth 40 gazrave të ndryshme, matjes së elementëve mikroklimaterike si temperatura,lagështira, presioni atmosferik dhe niveli i CO në ajër.

Monitorimi i cilësisë së ujit nëpërmjet:

-Multiparametrit i cili mat: pH, konduktivitetin elektrik, oksigjenin e tretur dhe kripshmërinë.

-Spektrofotometrit i cili me anë të kiteve të përzgjedhura paraprakisht mat sasinë në ujë të: P-PO4, N-NO2, Fe, Ni,Cu, Fe,Cr,Na,Cl, Zn, Al, Ca, N-NH4.

-Sistemit BOD5 i cili mat Nevojën Biologjike për Oksigjen.

-Termoreaktorit i cili përcakton Nevojën Kimike për Oksigjen

Monitorimi i nivelit të zhurmave realizohet nëpërmjet:  

– Testo Sound Level Meter, matësit profesional  për përcaktimin e niveleve të zhurmës.

Zonat kryesore të survejimit dhe matjeve periodike në të cilat përqëndrohet analiza dhe monitorimi mjedisor në Portin e Durrësit janë të katërt terminalet operacionalë të këtij të fundit (terminali i konteinerëve,terminali i mallrave gjenerale, terminali i trageteve dhe terminali i mallrave rifuzo), të cilat karakterizohen për ushtrimin e aktivitete që mund të ndikojnë në indikatorët e cilësisë së elementëve të vlerësimit mjedisor.